Shteti i plebenjve

7:26 PM | 15/06/2017
Shteti i plebenjve
OP/ED
0

LIS BUKUROCA

Kur shqiptari ta dojë atdheun më shumë se diskriminimin e gruas, mund të thuhet se është bërë komb shtetformues!

Deri atëherë do të jetë shtetvjedhës. Atij që shtyp në shtëpi mund t’i rrënohet shteti nga brenda, ose nga jashtë. Ai pos pallavrave teorike, patriotike, substancë nuk ka dhe nuk mund të ketë! Urrejtja për gjysmën e kombit tregon surratin e tij dhe dijen dhe arsimimin dhe edukatën dhe shekullin në të cilin jeton ai.

Ai që diskriminon gruan shqiptare, ai nuk mund ta dojë kombin shqiptar. Diku gjysma e kombit janë të gjinisë femërore. Ai adhuron lirinë për burra, jo për popullin! Ai nuk është mësuar të shohë gra me autoritet dhe dije, por vetëm shërbëtore të nënshtruara!

Ai rrah, ose vret njeriun, nëse ia shikon gruan, por nëse futen mijëra ushtarë dhe i pushtojnë një pjesë të vendit, ai ose ikën, ose llapton diku i fshehur, ose shkruan në facebook tërë kohën për atdhedashuri! E nëse ndodh që të jetë patriot i vërtetë, sapo t’i vijë mundësia, e vjedh shtetin, sepse për të, ai dhe fisi tij, janë më të rëndësishëm se sa atdheu i quajtur shtet!

Popujt shtetformues nuk duan atdheun, por shtetin. Pa shtet atdheu është karikaturë popullore, rurale, rustikale, strehimore e plebenjve të dehur, që organizojnë iftare!

Ja, ai ose ata shajnë gratë shqiptare në mënyrë që dinë të shajë vetëm një rrugaç i rritur në rrugë dhe i paedukuar nga mungesa apo primitivizmi i prindërve. Ai që i tha një gruaje ” ma hongsh k….”, sot është kryetar partie me ambicie për t’u bërë kryeministër. Tjetri quan gruan “prostitutë politike” dhe është anëtar i asaj partie. Kur llumi arrin në sipërfaqe, çdo njeri që nuk është hajn, për ta nuk është patriot, çdo njeri që nuk është rrugaç, është armik i vendit, ose tradhtar!

Nuk dëshpëron vetëm kjo, por mungesa absolute e Prokurorisë për të hapur menjëherë një procedurë, tregon se Kosova është zaptuar nga mashtrues, maskarenjtë, idiotë, hajna, që ne nesër i votojmë përsëri, sepse ne pajtohemi, ose ndjehemi si ata! Sepse ai ka artikuluar pikërisht atë, që ne besojmë apo përsërisim vazhdimisht në shtëpi.

Atdhedashuria nuk tregohet me fjalë, por duke ndryshuar veten dhe duke respektuar shtetin dhe duke pranuar të drejtën kushtetues se gruaja ka dinjitet sa edhe burri, sepse është në pyetje bija jonë, nëna jonë dhe gruaja jonë!

Çfarë nevoje mund të ketë një njeri të ndjehet më me vlerë se nëna, motra, ose gruaja? Po, ka nevojë të madhe për njeriun, i cili për nga inteligjenca nuk ia kalon apo për pak tejkalon shimpanzën sepse ka aftësi komunikimi, por jo të përsiatjes!

Më shumë lajme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *